Dje është mbajtur edicioni i pestë i festivalit “Tingujt e Vendlindjes” në komunën e Drenasit.
Siç njofton kjo komunë, në këtë festival kanë marrë pjesë dashamirës të festivalit nga gjitha trojet shqiptare, si : Kumanova, Kamza, Fushë – Arzi, dashamirës të festivalit nga qytetet e vendit tonë si nga Prizreni, Klina, Podujeva, Deçani etj.
“Ky festival përcolli vlerat dhe krijmtarinë shpirtërore të popullit shqiptar ndër shekuj. Vlerat kulturore dhe artistike janë thesar i madh i popullit tonë, të cilat do të duhen të përkrahen që t’i mbijetojnë kohës ashtu siç i kanë mbijetuar me shekuj pavarësisht sfidave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e kësaj komune.
“Këta tinguj kënge e ritme vallesh, janë zemrat që këndojnë. Është një pamje mahnitëse, një tablo e bukur e shpirtit njerëzor plot gjallëri, lëvizje, ngjyra, tinguj, ritëm, që të lumturojnë dhe të bëjnë të përjetosh çaste përtej realitetit, në një botë tjetër, në një botë që vetëm ndërgjegja artistike e popullit mund ta krijojë.
Duke shijuar këtë art kaq original, impresionues, s’mund të mos hysh thellë nëpër histori, në mënyrën si mendonte, si vepronte, si rezistonte, si jetonte dhe si përparonte ky popull. Folklori si një shfaqje e ndërgjegjes artistike të popullit, përherë na ka dhuruar kënaqësi estetike dhe krenari kombëtare”, ishte pjesë nga fjalimi i drejtoreshës së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit, Enkela Dema, ditën e djeshme në këtë festival./FolDrejt/