Në një atmosferë letrare, rrethuar nga librat e mendjet e ndritura të autorëve shqiptarë e të huaj, dje Festivali Letrar i të Rinjve, “Tirana Gate” 2022 zhvilloi edicionin e tetë radhazi në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit, shkruan Fol Drejt.
Në sallën e mbushur plot dashamirës të letërsisë, nëntë prej shumë finalistëve mësuan emrat si më meritorët për krijimet e tyre, të thurura mbi temën “Konflikt”.
Me çmime në poezi, prozë dhe ese, ky Festival bëri bashkë shqiptarë nga Shqipëria e nga Kosova, që tok në Tiranë ndanë skenën për të marrë mirënjohjet vlerësuese.
Nën vlerësimin dhe përzgjedhjen e jurisë, përbërë nga Arta Marku dhe Alban Tufa, nëntë krijimet më të mira panë dritën e botimit edhe në një Antologji.
Secili prej tre pjesëmarrësve në juri çmoi lart interesimin e shkrimtarëve të rinj për të marrë pjesë në këtë festival, për më tepër juria ngriti lart edhe punën e bërë me dashuri e përkushtim nga pjesëmarrësit, që pavarësisht mospërzgjedhjes kësaj radhe, të mos dekurajohen, por ta marrin si shenjë për të vazhduar edhe më tej.
E pavarësisht një mali talentësh e pune plot zell, mendjet kritike të jurisë sollën përpara të pranishmëve këta nëntë emra, duke i argumentuar herë për thellësinë e ideve, ndërtimin e përdorimin e figuracionit stilistik e subtilitetin tematik:
NË PROZË
Çmimi i parë: BLEDAR BRUKA
Çmimi i dytë: JETLIRA AVDIAJ
Çmimi i tretë: TOMAS TUTULANI
NË POEZI
Çmimi i parë: ENXHI NAUM
Çmimi i dytë: LEONORA HAJRA
Çmimi i tretë: ERIOLA ÇOÇAJ
NË ESE
Çmimi i parë: MEGI LLESHI
Çmimi i dytë: LIARDA KONDAKÇI
Çmimi i tretë: JASMINA ÇERPJA
Krahas emrave të të rinjve nga Shqipëria, në skenën e triumfit nuk mungoi as Kosova.
Emrat si Leonora Hajra, Eriola Çoçaj dhe Jetlira Avdiaj, të vlerësuara sidomos për autenticitetin stilistik, thellësinë ideore, përfaqësuan Kosovën, duke sjellë kështu secila nga një çmim.
Emocioni, entuziazmi e kërshëria përcollën gjithë procesin e shpalljes së fituesve, teksa secili fitues u prit me duartrokitje e përshëndetje të ngrohta prej publikut.
Me fotografi të përbashkët dhe me diskutime miqësore mes të pranishmëve në këtë sallë, Festivali mbylli punimet, teksa s’mungoi as thirrja e jurisë për të inkurajuar të rinjtë e të rejat që ta shtrojnë edhe më tutje veprimtarinë e artit letrar./RrezartaMorina/FolDrejt/