Në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës është mbajtur takimi ndërmjet drejtorëve të departamenteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit të Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë takimi i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla dhe ministrit të Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Giannis Oikonomou, është anuluar për shkak të trazirave në Athinë, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë thuhet se në fokus të takimit ndërmjet dy drejtorëve, drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku dhe gjeneral major Dimitrios Mallios, ishte menaxhimi i fluksit në pikat e kalimit kufitar, si dhe forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimeve kufitare.
“Drejtuesit më të lartë të policive kufitare shqiptare dhe greke, shprehën vlerësimin për bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh, si dhe u dakordësuan për intensifikimin e masave të përbashkëta për menaxhimin e fluksit, si dhe për rritjen e numrit të sporteleve në të dyja anët e kufirit”, thuhet në njoftim.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku, pas takimit me homologun grek, ka deklaruar se takimi është realizuar lidhur me menaxhimin e situatës në pikat e kalimit në kufirin me Greqinë.
Sipas autoriteteve shqiptare, takimi mes zyrtarëve policorë është mbajtur me dakordësinë e ministrave Balla dhe Ikonomou, pas anulimit të takimit mes dy ministrave.