Në Katar u zhvilluan negociata për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për “armëpushim afatgjatë”, sipas të cilit Tel Avivi do të lironte edhe të burgosurit palestinezë “të dënuar” për vrasjen e izraelitëve në këmbim të lirimit të të gjithë të burgosurve në Rripin e Gazës, përfshirë ushtarët izraelite.
Sipas televizionit shtetëror izraelit KAN news, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdurrahman Al Thani, drejtori i inteligjencës së jashtme izraelite Mosad, David Barnea, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) William J. Burns dhe drejtori i inteligjencës egjiptiane Abbas Kamil u takuan në Doha dhe diskutuan për armëpushimin dhe shkëmbimin e të burgosurve në Gaza.
Ndër temat e diskutuara në tryezën e bisedimeve ishin edhe marrëveshja e re për “armëpushim afatgjatë” dhe lirimi i të burgosurve palestinezë, përfshirë ata të “dënuar” për vrasjen e izraelitëve nga Tel Avivi, në këmbim të lirimit të të gjithë të burgosurve, përfshirë civilët dhe ushtarët izraelitë.
KAN raportoi se shefi i Mossad-it, Barne informoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu mbi detajet e bisedimeve në Doha.
Sipas raportimeve të lajmeve thuhet se Hamasi kishte miratuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes së re për të cilën po punohet për t’u arritur dhe ku kërkohet “armëpushim i plotë”, por Izraeli tashmë e kishte refuzuar atë.
Pauza katër-ditore humanitare midis Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi të premten, më 24 nëntor, në orën 7 të mëngjesit me orën lokale. Sipas marrëveshjes, 150 palestinezë në burgjet izraelite u liruan në këmbim të 50 të burgosurve izraelitë të mbajtur nga Hamasi. Lirimet u bënë në katër grupe gjatë pauzës humanitare katër-ditore, e cila u zgjat edhe për dy ditë të tjera të hënën në mbrëmje.
Izraeli ndërmori sulme brutale ndaj Rripit të Gazës, të cilat i nisi pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Më shumë se 15 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori. Në Izrael, numri zyrtar i të vrarëve është 1.200.