Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pas përzgjedhjes së Kosovës për t’i organizuar Lojërat Mesdhetare 2030, përcjell Fol Drejt.
“Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare sot në Heraklion të Greqisë, ka shpallur Kosovën shtet mikpritës të LM2030.
Vendimi i sotëm rikthen organizimin e lojërave në Ballkan pas 51 vitesh, prej kur Lojërat Mesdhetare u organizuan në vitin 1979 në Split të Kroacisë.
Programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e mbi 3300 sportistëve dhe shënon bashkëpunimin e parë mes 2 shteteve në organizim, Kosovës dhe Shqipërisë. Ngjarja ndërkombëtare multi-sportive do të ketë shtrirje në gjithë territorin e shtetit me fokus në 7 komunat kryesore si dhe në bregdetin shqiptar, në Durrës.”, përcjell Fol Drejt.
“Përmes LM2030, konsolidohet imazhi shtetëror në arenën ndërkombëtare, përforcohet përkatësia dhe identiteti shtetëror si dhe do të investohet në infrastrukturë fizike të modernizuar.
Krahas përfitimeve direkte financiare që do të vijnë me organizimin e Lojërave Mesdhetare, do të ketë edhe përfitime jodirekte por afatgjate, si promovimi i shtetit dhe zhvillimi i turizmit sportiv.”, transmeton Fol Drejt.