Bayern Munchen mposhti Paris Saint-Germainin me rezultat 1:0 jashtë shtëpisë në ndeshjen e parë të 1/16-tës së finales në Ligën e Kampionëve.
Golin e vetëm e shënoi Kingsley Coman, ndërsa VAR e anuloi golin e barazimit të Kylian Mbappes. Ndeshja e kthimit mes këtyre klubeve në Mynih është caktuar për 8 mars.
Duke folur pas ndeshjes për Canal +, Kylian Mbappe tha se ishte i inkurajuar nga fundi i ndeshjes kur PSG po i shtypte rrezikshëm bavarezët dhe iu afrua golit të barazimit. Mbappe as që duhej të luante pasi u dëmtua gjatë ndeshjes me Montpellier në ligë, por pasi PSG ishte i pafuqishëm për një orë të plotë, trajneri i Parisit Christophe Galtier u detyrua ta fuste në lojë.
Edhe pse i dëmtuar, Mbappe tregoi se është lojtari më i mirë i kampionëve francezë për momentin, ai i dha gjallëri skuadrës së PSG-së. Ai shënoi edhe një gol, i cili u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Para ndeshjes së dytë pas dy javësh, golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës tha se PSG ka një shans nëse luan në sulm në Gjermani:
“Duhet të shohim fundin e lojës, ishim në një pozitë të pafavorshme, por ia dolëm t’u shkaktonim atyre probleme. Ne treguam se jemi të rrezikshëm. Le të shkojmë në Mynih për të kaluar tutje. Ne punuam shumë për këtë çdo ditë. Nuk do të jetë e lehtë për Bayernin nëse luajmë maksimalisht në sulm”, tha Mbappe, transmeton Fol Drejt.