Më në fund kanë arritur në Kosovë tre zyrtarët policorë të cilët ndodheshin në paraburgosur nga autoritetet serbe nga 14 qershori, shkruan Fol Drejt.
Tre zyrtarët policorë: Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi nga pika kufitare Merdare u përcollën me vetura zyrtare të policisë drejt Mitrovicës, tek familjet e tyre.
Gjykata në Kralevë të Serbisë mori vendim për lirimin e tyre pas gati 12 ditësh në mbajtje.
Pas lirimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës tha se “rrëmbimi konsiston në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.
“Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, shkroi Kurti.
Tre zyrtarët policorë u arrestuan derisa ishin me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, në brendësi të territorit të Kosovës. Detyra e tyre ishte për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Arrestimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, duke kërkuar lirim të menjëhershëm dhe pa kushte. Lirimin e tyre po ashtu e kanë kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.