Kanë mbërritur pasditen e kësaj të shtune në Shqipëri 40,800 doza të tjera vaksinash “AstraZeneca” përmes “Covax”.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëron po ashtu se gjatë ditëve të ardhshme priten të vijnë mbi 250 mijë doza të tjera.
“Mbërrijnë 40,800 doza të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit Covax, teksa presim mbi 250,000 vaksina në ditët në vijim, për ta rritur më tej ritmin e lartë të vaksinimit dhe për të përqafuar jetën, diellin e detin, në sezonin e ri turistik”, shkruan Rama në “Facebook”.
Të pranishëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” për të pritur vaksinat ishin dy ministrat e qeverisë Rama, Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj.