Mbështetësit e liderit të Lëvizjes Sadr në Irak, Muqtada al-Sadr, hynë në Pallatin Presidencial në kryeqytetin Bagdad.
Një grup i mbështetësve të udhëheqësit shiit Al-Sadr bastisi Pallatin Presidencial, i vendosur në Zonën e Gjelbër të mbrojtur, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe përfaqësitë e misioneve të huaja në kryeqytet irakian, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjithashtu një grup tjetër mbështetësish të al-Sadrit hynë në Pallatin e Qeverisë në Bagdad.
Muqtada al-Sadr, lideri i Lëvizjes Sadr, i cili fitoi zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Irak vitin e kaluar, njoftoi se ai “u tërhoq nga politika” në një deklaratë të bërë sot në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
“Unë deklaroj se kam lënë punën politike dhe jam tërhequr plotësisht nga politika. Kam vendosur të mbyll të gjitha institucionet përveç varrit të babait tim, institucionit të monumenteve historike dhe muzeut të familjes Sadr”, tha Sadr.
Më vonë, një grup mbështetësish të Al-Sadrit u mblodhën para Pallatit të Qeverisë në Zonën e Gjelbër për të protestuar kundër qeverisë. Përkundër masave të sigurisë, përkrahësit e liderit shiit ishin mbledhur para Pallatit të Qeverisë duke shembur barrierat prej betoni. Me protestat e tyre grupi pro-Sadr bëri thirrje që zyrtarët qeveritarë të japin dorëheqjen.
Më pas, në Bagdad u shpall orë policore për shkak të veprimeve të mbështetësve të Al-Sadrit. Në deklaratën e bërë nga Komanda e Përbashkët e Operacioneve të Irakut, njoftohet se në Bagdad është shpallur ora policore që nga ora 15:30.
– Mbështetësit e al-Sadrit më parë kishin bastisur parlamentin irakian
Deputetët nga Lëvizja Sadr dhanë dorëheqjen nga Parlamenti i Irakut pasi qeveria nuk mund të formohej për shkak të një mosmarrëveshjeje me grupet shiite të afërta me Iranin.
Më pas, pasi Korniza e Koordinimit, një organizatë ombrellë politike shiite e afërt me Iranin, përcaktoi Mohammed Shia Sudanin si kandidat për kryeministër, mbështetësit e Al-Sadr hynë në Zonën e Gjelbër më 30 korrik, sulmuan ndërtesën e Parlamentit dhe filluan të protestojnë.
Udhëheqësi shiit Al-Sadr u bëri thirrje mbështetësve të tij që të largohen nga Parlamenti më 2 gusht dhe të vazhdojnë protestën përreth ndërtesës./FolDrejt/