Dy turistë gjermanë të cilët u bllokuan dje në malin e Tropojës, në zonën e quajtur “Curraj i Epërm” janë gjetur sot nga policia.
Turistët gjermanë nuk mund të vazhdonin ecjen ditën e djeshme, për shkak të lodhjes dhe errësirës.
U desh ndërhyrja e policisë për t’i shpëtuar dy turistët të cilët kishin mbetur në malin në zonën “Curraj i Epërm”.
Pas disa orësh kërkimesh intensive në këmbë, në terrenin e thepisur, efektivët e policisë kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Vashqefen”.
Punonjësit e Policisë fillimisht i nxorën 2 turistët nga terreni i rrezikshëm dhe më pas i kanë transportuar ata deri në vendin ku ishte e mundur ulja e helikopterit.
Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, janë transportuar në spitalin e Tiranës dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore./abcnews.al/