164 persona kanë humbur jetën gjatë trazirave që tronditën Kazakistanin javën e kaluar, sipas shifrave të publikuara nga ministria e shëndetësisë. Deri më tani kanë humbur jetën 26 protestues dhe 16 anëtarë të forcave të sigurisë.
Më shumë se 2200 njerëz janë plagosur. Sipas televizionit shtetëror, 103 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në Almati, qyteti më i madh i vendit. Protestat nisën një javë më parë kundër rritjes së çmimit të karburanteve, përpara se të ktheheshin në një protestë kundër qeverisë. Ky është shpërthimi më vdekjeprurës në 30 vitet e pavarësisë së Kazakistanit.
Autoritetet kazake njoftuan sot se kanë stabilizuar situatën në të gjithë vendin, ndërsa trupat po ruajnë “objektet strategjike”.
Papa Françesku shprehu ngushëllimet për viktimat e trazirave në Kazakistan dhe bëri thirrje për një “dialog” për të rivendosur paqen në vendin më të madh në Azinë Qendrore.
“Shpresoj që t’i kthehemi paqes sociale sa më shpejt të jetë e mundur përmes dialogut, drejtësisë sociale dhe të mirës së përbashkët,” tha Papa.