Më shumë se 20 vende kanë aplikuar zyrtarisht për t’u bashkuar me BRICS, bllokun e ekonomive në zhvillim që përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, raporton Anadolu, përcjell Fol Drejt.
“Zgjerimi i BRICS do të përfaqësojë një grup të larmishëm kombesh me sisteme të ndryshme politike që ndajnë një dëshirë të përbashkët për të pasur një rend global më të balancuar”, deklaroi të dielën mbrëma në një fjalim televiziv presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Samiti i 15-të i BRICS do të mbahet në kryeqytetin e Afrikës së Jugut, Johanesburg, ku do të marrin pjesë presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti kinez, Xi Jinping dhe kryeministri indian, Narendra Modi. Presidenti rus, Vladimir Putin, do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov.
Në mars, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër arresti për Putinin, gjë që e pengon atë të udhëtonte për të marrë pjesë në samitin, i cili është planifikuar të mbahet nga 22-24 gusht. Afrika e Jugut është nënshkruese e Statutit të Romës, i cili themeloi gjykatën.
Presidenti kinez do të mbërrijë në Afrikën e Jugut të hënën, një ditë para fillimit të samitit, në vizitën e tij të katërt shtetërore në vend.
Afrika e Jugut ka marrëdhënie strategjike me Kinën, ndërsa pritet të nënshkruajë disa marrëveshje gjatë vizitës së presidentit Xi.
Ramaphosa tha se më shumë se 30 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Afrika do të marrin pjesë në samit.
Ai tha se duan të ndërtojnë një partneritet midis BRICS dhe Afrikës në mënyrë që kontinenti të mund të hapë mundësitë për rritjen e tregtisë, investimeve dhe zhvillimit të infrastrukturës.
Ramaphosa tha se përveç pritjes së liderëve të tjerë afrikanë, ata do të mirëpresin edhe liderë nga disa vende të hemisferës jugore.
Këto përfshijnë liderë nga Karaibet, Amerika e Jugut, Lindja e Mesme, Azia Perëndimore, Azia Jugore dhe Azia Juglindore.
Ai bëri të ditur se në samit do të marr pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pas ftesës nga blloku.
“Mbështetja jonë për Kombet e Bashkuara ekziston së bashku me besimin tonë të fortë se ky institucion i rëndësishëm shumëpalësh ka nevojë për reforma të vërteta për ta bërë atë më demokratik, përfaqësues dhe efikas”, tha udhëheqësi i Afrikës së Jugut në fjalimin e tij.
Ai tha se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të transformohet në një organ më gjithëpërfshirës, më efektiv që është në gjendje të sigurojë paqen dhe sigurinë.
Ramaphosa tha se vendi i tij mbështet zgjerimin e anëtarësimit në BRICS, vlera e të cilit shtrihet përtej interesave të anëtarëve aktualë.
BRICS aktualisht përbën një të katërtën e ekonomisë globale, duke zënë një të pestën e tregtisë globale dhe është shtëpia e më shumë se 40 për qind të popullsisë së botës.