SHBA-ja do të kthejë më shumë se 23 milionë dollarë të kontrabanduara jashtë vendit nga Nigeria gjatë periudhës së ish-presidentit, gjeneral Sani Abacha.
Ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i Nigerisë, Abubakar Malami dhe ambasadorja e SHBA-së në Abuja, Mary Leonard, nënshkruan marrëveshjen në një ceremoni të mbajtur në ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë në kryeqytetin Abuja, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke folur në ceremoni, Malami deklaroi se u zhvilluan një sërë negociatash trepalëshe midis Nigerisë, Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar (NCA) për kthimin e parave të kontrabanduara në vend.
Duke theksuar se me marrëveshjen e nënshkruar mes Nigerisë dhe SHBA-së, më shumë se 23 milionë dollarë të kontrabanduara në SHBA gjatë periudhës së gjeneral Abacha do të kthehen, Malami tha se paratë e kthyera do të përdoren për projektet e autostradës dhe urave që janë duke u ndërtuar.
Administrata e SHBA-së kishte kthyer më parë në Nigeri 318 milionë dollarë, të cilat ishin kontrabanduar jashtë vendit gjatë periudhës së gjeneralit Abacha.
Diktatori “më i pangopur” i Afrikës
Një pjesë e konsiderueshme e parave të kontrabanduara jashtë vendit nga presidenti i atëhershëm, gjeneral Abacha, midis viteve 1993 dhe 1998 mbahen në bankat perëndimore.
Abacha u akuzua se kishte vjedhur të paktën 2 miliardë dollarë nga populli gjatë mandatit të tij pesëvjeçar.
Abacha, i cili mori detyrën në një grusht shteti ushtarak më 17 nëntor të vitit 1993, njihet si lideri më i korruptuar i vendit.
I akuzuar për shumë shkelje të të drejtave të njeriut gjatë sundimit të tij, Abacha njihet si “diktatori më i pangopur i Afrikës”.
Abacha vdiq nga një sulm në zemër në pallatin presidencial më 8 qershor të vitit 1998./FolDrejt/