Më shumë se 50 oficerë policie u plagosën dhe mbi 250 protestues u arrestuan pas tubimeve tradicionale të dhunshme të 1 Majit në Berlin, tha të dielën Unioni i Policisë Gjermane.
Më shumë se 20 tubime të ndryshme u zhvilluan të shtunën në kryeqytetin gjerman dhe shumica dërrmuese e tyre ishin paqësorë. Sidoqoftë, një marsh i majtë prej 8.000 njerëzve nëpër Neukoelln dhe lagjen Kreuzberg të qytetit, i cili shpesh ka parë përplasje në dekadat e kaluara, u kthye në dhunë. Protestuesit hodhën shishe dhe gurë ndaj oficerëve dhe dogjën kontejnerë mbeturinash dhe paleta druri në rrugë.
Në pjesën më të madhe të Gjermanisë vazhdon të mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes gjatë natës për shkak të numrit të lartë të infeksioneve me koronavirus. Por protestat politike dhe tubimet fetare janë të përjashtuara nga ora e ndalimit.