Më shumë se 7.000 infermierë dhe punonjës shëndetësorë që punojnë në dy institucione të mëdha shëndetësore në New York dolën në grevë për të protestuar ndaj mungesës së stafit dhe pagave të ulëta.
Punonjësit e shëndetësisë u mblodhën përpara Mount Sinai në Manhattan dhe qendrës mjekësore Montefiore në Bronx për të mbështetur grevën e organizuar nga sindikata e Shoqatës së Infermierëve të Shtetit të New York-ut (NYSNA), shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Presidenti i Federatës Amerikane të Punës dhe Kongresit të Organizatave Industriale (AFL-CIO), Mario Cliento, bëri një deklaratë në lidhje me grevën, e cila u mbështet gjithashtu nga shumë sindikata të ndryshme. “Nuk ka zgjidhje tjetër përveç grevës”, tha ai.
“Është e pabesueshme që këto spitale të mos llogarisin sakrificat që infermierët bëjnë për pacientët e tyre çdo ditë. Trajtimi i tyre ndaj këtyre infermierëve është dëshmi se të gjitha fjalët e tyre lavdëruese për heronjtë e shëndetit gjatë pandemisë (COVID-19) janë boshe”, shtoi Cliento.
Nga ana tjetër, senatori Bernie Sanders në Twitter reagoi rreth grevës. “Unë mbështes më shumë se 7.000 infermierët të New Yorkut që bëjnë grevë në Spitalin Mount Sinai dhe Qendrën Mjekësore Montefiore. Nëse këto spitale do të ishin në gjendje të rrisnin asetet e tyre në mbi 1 miliard dollarë në vitin 2021, ata gjithashtu mund t’u paguanin infermierëve të tyre paga të drejta dhe t’i trajtonin ata me më shumë respekt”, shkroi ai.
Prokurorja e Përgjithshme e New Yorkut, Letitia James, mori pjesë gjithashtu në grevë me një grup politikanësh demokratë. “Infermierët e New Yorkut kanë qëndruar gjithmonë pranë nesh kur të dashurit tanë u sëmurën gjatë ditëve më të errëta të pandemisë”, theksoi ajo në Twitter.
Në grevën që vazhdoi gjatë gjithë ditës, punonjësit e shëndetësisë shprehën kërkesat e tyre për kushte më të mira pune dhe rritje pagash./FolDrejt/