Numri i civilëve palestinezë të vrarë në Gaza, ka kaluar tashmë shifrën 8000. Pjesa më e madhe e viktimave, sipas raportimit të mediave ndërkombëtare, janë gra dhe fëmijë, shkruan Fol Drejt.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i të vdekurve mes palestinezëve kaloi 8,000, kryesisht gra dhe të mitur, ndërsa tanket dhe këmbësoria izraelite ndoqën atë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti një “fazë të dytë” në luftën kundër Hamasit.
Burime jozyrtare thonë se mësymjet e para të këmbësorisë izraelite, nuk kanë rezultuar shumë të suksesshme, por bombardimet e Rripit të Gazës kanë vijuar edhe në orët e fundit, pothuajse, pandërprerë.
Që nga fillimi i luftës së përgjakshme, pala izraelite i ka raportuar mbi 1,400 të vdekur.
Ndërkohë është raportuar se kontingjenti më i madh i ndihmave të para humanitare ka arritur, ndonëse i pamjaftueshëm karshi nevojave të mëdha.
Regjioni mbetet i tensionuar, ndonëse vendet përreth mbeten, deri më tani, spektatore të një gjenocidi të paparë deri më tani. Ushtria Izraelite ka konfirmuar së fundmi se avionët luftarakë të saj kanë kryer sulme kundër infrastrukturës ushtarake në Siri dhe Liban./FolDrejt/