Mijëra protestues u mblodhën të mërkurën para ndërtesës së Parlamentit në kryeqytetin armen Jerevan duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikola Pashinyan pas përleshjeve mes trupave të dy vendeve në kufirin e Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Protestuesit kërkuan që kryeministrit Pashinyan dhe pjesës tjetër të qeverisë t’i votohet mosbesim, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Policia ka bllokuar rrugën në hyrje të Parlamentit për të mos lejuar hyrjen e protestuesve.
Pas tensioneve gjatë ditës, në orët e mbrëmjes është shtuar numri i protestuesve para ndërtesës së Parlamentit.
Sipas postimeve në rrjetet sociale, protestuesit tentuan të thyejnë dyert e Parlamentit.
Në video shihet se si protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e Pashinyan-it, duke brohoritur parulla kundër tij dhe duke u përpjekur të çajnë barrierën e policisë.
Protestuesit po reagonin ndaj deklaratave të Pashinyan-it ndaj fjalimit të tij më herët gjatë ditës në Parlament se ai dëshironte të nënshkruante një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin.
Pashinyan në Parlament të mërkurën tha se 105 ushtarë armenë u vranë.
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se 50 ushtarë azerbajxhanas humbën jetën ditët e fundit në provokimet e Armenisë.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Në konfliktin e vitit 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe më shumë se 300 vendbanime dhe fshatra të pushtuara nga Armenia, përpara se Rusia të ndërmjetësonte një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve më 9 nëntor./FolDrejt/