Mbrëmë në Prishtinë ndodhën dy vrasje të rënda. Një grua u vra nga të shtënat me armë zjarri, kurse një burrë nga therja me thikë.
Mbrëmë rreth orës 20:20 në Prishtinë, në rrugën “Dalip Alshiqi” si pasojë e të shtënave me armë humbi jetën një grua. Në vendin e ngjarjes kanë dalur policia dhe mjekët emergjent menjëherë, ku në një veturë kanë gjetur një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Viktima raportohet se është gruaja e Naim Murselit, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit.
Pas këtij rasti tragjik, Policia njoftoi se një burrë ka humbur jetën pas plagëve të marra nga therja me thikë po në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, në rrugën “Ali Vitia”. Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore.
Sipas Ahmetit, bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arrit të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit (i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.