Kostoja e jetesës në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur nivelin më të lartë në tre dekadat e fundit, sipas shifrave zyrtare të publikuara sot. Inflacioni në vend u rrit në 5.4 për qind dhjetorin e kaluar, më i larti që nga marsi 1992, treguan të dhënat e Zyrës së Statistikave Kombëtare (ONS).
Matja e indeksit të çmimeve të konsumit (CPI) e inflacionit u rrit nga 5.1 për qind në nëntor. Në baza mujore, CPI u rrit me 0.5 për qind në dhjetor 2021, krahasuar me një rritje prej 0.3 për qind në dhjetor 2020, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit, përfshirë kostot e banesave të pronarëve u rrit në 4.8 për qind në 12 muajt deri në dhjetor 2021, nga 4.6 për qind në 12 muajt deri në nëntor, sipas ONS.
Të dhënat e ONS-së sugjerojnë se rritja e mëtejshme e fortë e çmimit të ushqimit si dhe e mobilieve dhe veshjeve ishin faktorët që qëndrojnë pas rritjes.
Rritja e inflacionit shtoi më shumë presionin e shkaktuar nga rritja e faturave të energjisë për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe kërkesës për automjete të përdorura pasi kostoja ishte 28 për qind më e lartë këtë muaj.
Çmimet e ushqimeve, pijeve joalkoolike, mobilieve dhe mallrave shtëpiake u rritën në të gjithë vendin.
“Unë i kuptoj presionet me të cilat njerëzit përballen me koston e jetesës dhe ne do të vazhdojmë të dëgjojmë shqetësimet e qytetarëve siç kemi bërë gjatë gjithë pandemisë”, tha sekretari i Thesarit në Mbretërinë e Bashkuar, Rishi Sunak.