Në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbajtur seanca e tretë për ecurinë e çështjes lidhur me aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar mbi ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-pjesëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, transmeton Anadolu Agency.
Në seancë Zyra e Prokurorisë Speciale fillimisht tha se është duke vijuar në përmbushjen e detyrimeve të saj me nxjerrjen e materialeve të periudhës para nisjes së gjykimit.
Ndërkaq, mbrojtja e ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka shprehur pakënaqësi lidhur me punën e deritanishme të ZPS-së.
Avokati i ish-presidentit Thaçi, David Hooper, tha se mënyra se si ZPS ka nxjerrë materialet deri më tani nuk është e dobishme për mbrojtjen ngase sipas tij, “mënyra e nxjerrjes së materialeve të ZPS-së, do të duhej të ishte udhërrëfyes për të ndihmuar mbrojtjen”.
Hooper kërkoi që mbrojtjes t’i jepet një listë e dëshmitarëve të mundshëm nga ata 124 dëshmitarët e paracaktuar, ngase sipas tij, “referenca mbi dëshmitarët në këtë rast është e paplotë”.
Për këtë, ZPS tha se mbrojtja ka marrë skicën me informacione për dëshmitarët, por duhet të kihet parasysh edhe fakti i mundësisë së frikësimit të dëshmitarëve.
Edhe avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emerson, tha se sjellja e ZPS-së karshi palës mbrojtëse është joetike. Sipas tij, prokuroria ende nuk e ka kuptuar as vetë se me çfarë çështje po merret dhe për këtë arsye “po ruan dorëzimin e dokumenteve dhe dosjes deri në momentin e fundit para gjykimit”.
Në këtë seancë u diskutua edhe për nevojën që materialet në tërësi nga Zyra e Prokurorisë Speciale të jenë të gatshme për të akuzuarit në gjuhën e tyre (shqipe), për çka ZPS tha se do të jenë gati në fund të muajit maj të këtij viti.
Në fund të seancës, avokatët mbrojtës të palëve kërkuan që muajve në vazhdim të mbahet edhe një konferencë paragjyqësore, me qëllim që të sqarohen për çështjet e mbetura. Për këtë çështje, palët e përmenden muajin mars si mundësi kur mund të mbahet ajo.
Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.