Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se përleshjet me ushtrinë ruse janë intensifikuar në rajonin Bakhmut të Donetskut.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit ushtria ruse ka humbur 200 ushtarë, kryesisht në rajonin e Donetskut, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ushtria ruse neutralizoi gjithsej 43.200 ushtarë në Ukrainë midis 24 shkurtit dhe 12 gushtit.
Gjatë kësaj periudhe u rrëzuan 233 avionë rusë, 191 helikopterë ndërsa u shkatërruan 1.849 tanke, 4.108 automjete të blinduara, 975 topa, 261 raketahedhës dhe 136 sisteme të mbrojtjes ajrore.
Në deklaratë thuhet se forcat ruse kanë humbur 3.021 automjete, 15 anije dhe skafe të lehta, 778 mjete ajrore pa pilot si dhe 185 raketa të lëshuara nga rusët janë goditur dhe shkatërruar nga njësitë e mbrojtjes ajrore ukrainase.
Në një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes më 25 mars thuhej se 1.351 ushtarë rusë humbën jetën në Ukrainë, por të dhënat për viktimat nuk u përditësuan më pas.
Rusët arritën sukses të pjesshëm në drejtimin Gorlivka-Zaycheve
Në një deklaratë tjetër të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, u tha se përleshjet u intensifikuan në rajonin Bakhmut të Donetskut.
Më tej thuhet se forcat ruse, të cilat sulmuan me tanke, artileri dhe avionë, arritën sukses të pjesshëm në drejtimin Gorlivka-Zaycheve.
Vazhdojnë sulmet ndaj strukturave civile
Sipas informacioneve të autoriteteve ukrainase, teksa vazhdon rezistenca kundër ushtrisë ruse, rusët sulmuan me raketa disa qytete.
Forcat ruse kanë kryer 8 sulme ajrore në rajonin e Luhanskut në 24 orët e fundit.
Forcat ruse hodhën 11 raketa në Kramatorsk të Donetskut. Tri shtëpi të goditura u dëmtuan por nuk pati asnjë humbje jete. Në sulmin me raketa në Kurahove, sipas informacioneve të para kanë humbur jetën 2 ukrainas.
Ndërkaq rreth 40 raketa ‘Grad’ u qëlluan në qytetin Marhanets në Dnipro./FolDrejt/