Qytetarët e Malit të Zi kanë dalë sot në qendrat e votimit ku kanë vendosur për presidentin e ri të këtij vendi dhe pasi të gjitha vendvotimet janë mbyllur në orën 20:00, së shpejti do të dihen rezultatet e para, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 20:00 kanë votuar 63.6 për qind e votuesve. Kur bëhet fjalë për seksione sipas rajoneve, në veri të Malit të Zi pjesëmarrja ishte 60.8 për qind, ndërsa në jug 52.8 për qind. Në pjesën qendrore të Malit të Zi, 65.5 për qind e qytetarëve kanë dalë në votime.
Rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve presidenciale duhet të dihen tashmë sonte, dhe siç dihet më herët qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin mes shtatë kandidatëve. Përveç presidentit aktual Milo Gjukanoviq (DPS), qytetarët mund të zgjedhin midis Jakov Milatoviq (Lëvizja e Evropës), Andrija Mandiq (Për Ardhmërinë e Malit të Zi), Jovan Raduloviq Jodžir (kandidat i pavarur), Aleksa Beçiq (Mali i Zi Demokratik), lideri i Malit të Zi të Bashkuar Goran Daniloviq dhe Draginja Vuksanoviq Stankoviq (SDP i Malit të Zi).
Presidenti aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, deklaroi se beson se do të fitojë numrin më të madh të votave dhe do të vazhdojë të kryejë funksionin presidencial.
“Kjo është një mundësi që Mali i Zi të konfirmojë aftësinë e tij për të jetuar në kushte të stabilitetit politik dhe social, për të zbatuar reformat me përkushtim, për të arritur standardet dhe për të arritur qëllimin e tij”, tha Gjukanoviq.
Sipas rregullave të zgjedhjeve, nëse asnjë nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, dy kandidatët me numrin më të madh të votave do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të planifikuar për më 2 prill. /FolDrejt/