Në Sri Lanka, e cila po lufton me krizën më të rëndë ekonomike në historinë e saj, sot shkollat u mbyllën për shkak të mungesës së karburantit ndërsa zyrtarëve publikë iu kërkua të mos vijnë në punë.
Ministria e Administratës Publike në Sri Lanka njoftoi se nëpunësit civilë, përveç atyre që mbajnë shërbimet thelbësore, mungojnë në punë “për shkak të mungesës aktuale të karburantit dhe problemeve me objektet e transportit” në të gjithë vendin, transmeton Fol Drejt.
Shkollat publike dhe private u mbyllën për shkak të rritjes së mungesës së karburantit. Mijëra njerëz në të gjithë vendin prej ditësh presin në pikat e karburantit.
Sri Lanka dje falimentoi, për herë të parë, pasi dështoi të paguajë borxhin e saj.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Nandalal Weerasinghe njoftoi se sasia e valutës së huaj që individët mund të mbajnë do të reduktohet nga 15 mijë në 10 mijë dollarë.
Ngjarjet në Sri Lanka
Në Sri Lanka, e cila po përballet me krizën më të madhe ekonomike në historinë e saj, populli intensifikoi protestat në fund të marsit pas ndërprerjeve të energjisë elektrike për rreth 13 orë në ditë.
Më 9 maj pati një përplasje mes demonstruesve të mbledhur rreth Kryeministrisë dhe mbështetësve të qeverisë në vend dhe u thirrën njësitë ushtarake në detyrë në kryeqytetin Colombo.
Pas presionit në rritje nga opozita, kryeministri Mahinda Rajapaksa dha dorëheqje më 9 maj. Më pas u shpërbë edhe kabineti për shkak të dorëheqjes së kryeministrit.
Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa emëroi Ranil Wickremesinghe kryeministër më 12 maj. Wickremesinghe më parë kishte shërbyer tre mandate si kryeministër në vend.
Pas dhunës, u shpall një shtetrrethim mbarëkombëtar ndërsa qeveria urdhëroi që të qëllohej ndaj kujtdo që dëmtonte pronën publike ose të tjerët gjatë protestave.
Në protestat e përhapura në të gjithë vendin humbën jetën 8 persona, mes tyre deputeti i partisë në pushtet dhe 2 policë ndërsa u regjistruan 250 të plagosur.
Qytetarët e Sri Lankës aktualisht po luftojnë me mungesën e karburantit, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe rritjen e çmimeve të ushqimit dhe transportit./FolDrejt/