Për shkak të niveleve të larta të ndotjes së ajrit në Teheran, kryeqytetin e Iranit, të gjitha shkollat, universitetet dhe institucionet qeveritare janë mbyllur.
Mediat lokale publikuan një deklaratë të nënkryetarit të Bashkisë së Teheranit, Abid Meleki, i cili dha informacione për nivelin e ndotjes së ajrit në qytet dhe masat e marra, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Komiteti për raste urgjente për ndotjen e ajrit u mblodh për shkak të kushteve jashtëzakonisht të këqija. Ndotja e ajrit do të përkeqësohet të martën. Prandaj, u vendos që të mbyllen të gjitha institucionet, universitetet dhe shkollat në Teheran për të gjitha grupmoshat”, tha Meleki.
Drejtori i përgjithshëm për menaxhimin e krizave në Teheran, Yazdi Mehr, u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht grupeve vulnerabël, që të mos largohen nga shtëpitë e tyre sot dhe nesër.
Në Teheran, i cili është ndër tre qytetet në botë për sa i përket ndotjes së ajrit, mësimdhënia shpesh pezullohet për këtë arsye./FolDrejt/