Rusia i ndaloi transmetimet në Rusi të Deutsche Welle-s. Ky hap është reagim ndaj ndalimit të programit gjermanisht të transmetuesit shtetëror rus RT DE.
Ministria e Jashtme ruse urdhëroi veç kësaj mbylljen e zyrës së korrespondentëve të DW në Moskë dhe u hoqi akreditimin gazetarëve të DW. Në bazë të urdhëresës, ndalohet përhapja e programit në gjuhën ruse të Deutsche Welle-s përmes satelitit dhe në të gjitha rrugët e tjera të transmetimit, bëri të ditur ministria e Jashtme ruse. Veç kësaj, do të nisë një proces për ta shpallur Deutsche Welle-n “agjent të huaj”. Për hapa të tjerë do të jepen së shpejti informacione të tjera.
Limbourg proteston
Drejtori i Përgjithshëm i DW, Peter Limbourg u shpreh:
“Masat e marra nga autoritetet ruse nuk janë aspak të kuptueshme dhe përbëjnë një reagim plotësisht të tepruar. Këtu na bëjnë peng në një mënyrë që mediat e përjetojnë vetëm në autokraci. Ne protestojmë energjikisht kundër këtij reagimi absurd të qeverisë ruse dhe do të përdorim kanalet ligjore për të kundërshtuar masat e shpallura. Derisa këto masa të na njoftohen zyrtarisht, ne do të vazhdojmë të përcjellim lajme nga zyra jonë në Moskë. Edhe nëse në fund do të detyrohemi ta mbyllim (zyrën), kjo nuk do të ndikonte në raportimin tonë për Rusinë. Përkundrazi, ne do të forconim ndjeshëm raportimin tonë”.
Shpagim nga Moska
Me këtë ndalim transmetimi, Rusia reagon për ndalimin e transmetimit të programit në gjuhën gjermane të transmetuesit të saj shtetëror RT DE. Qeveria e Moskës e konsideroi ndalimin e transmetimeve në gjuhën gjermane të kanalit shtetëror rus si një sulm ndaj lirisë së mendimit dhe të shtypit dhe kërcënoi se do të kishte pasoja. “Situata është krejtësisht e qartë: një kompani mediatike ruse, madje do të thosha një kompani mediatike ndërkombëtare, është e ndaluar të transmetojë në Gjermani. Ky nuk është asgjë më pak se një sulm ndaj lirisë së shprehjes,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, cituar nga agjencia e lajmeve Interfax.
Deutsche Welle Funkhaus
Në Gjermani, rregullatorët e Komisionit kompetent për Autorizim dhe Mbikëqyrje (ZAK) ndaluan të mërkurën transmetimin e kanalit televiziv RT DE te autoritetet mediatike. Arsyeja ishte mungesa e licencës për transmetim.
Gjatë takimit me kolegun e saj Sergej Lavrov në janar në Moskë, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e bëri të qartë se asnjë radiostacion shtetëror nuk ishte i lejuar Gjermani.
RT – më parë Rusia Sot – transmeton programe ndërkombëtare në gjashtë gjuhë dhe thotë se programi i saj në gjuhën gjermane kontribuon për një larmi opinionesh në Evropë. Kritikët, nga ana tjetër, e akuzojnë RT se është zëdhënëse e Kremlinit duke përhapur dezinformata dhe propagandë./DW