Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ceremonia e hapjes së ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ’23” do të mbahet këtë të diele, shkruan Fol Drejt.
“Ky aktivitet ndërkombëtar do të mbahet të dielën, më 21 maj, duke filluar nga ora 11:30, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë” – kanë njoftuar nga ministria.
Po sipas njoftimit, në këtë ceremoni do të marrin pjesë personalitetet më të larta shtetërore, “duke filluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministra të mbrojtjes së vendeve fqinje, si dhe personalitete të shquara nga aleatët tonë strategjikë, nga SHBA si dhe vendet tjera partnere.
Nga data 21 maj deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ’23”, me ç’rast do të validohen kapacitet e dy regjimenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e po ashtu do të tregohet shkalla e ndërveprimit ushtarak, përkrah forcave të shteteve partnere.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, Forcë e gatshme për të kontribuar në çdo mision të NATO-s” – thuhet në mbyllje të njoftimit./FolDrejt/