Më 21 nëntor të këtij muaji promovohet “Këpucët e vdekjes”, përmbledhje me tregime kjo, e shkrimtarit Imer Topanica.
Eventi është planifikuar të mbahet në natën e parë të Festivalit Poetik të Prishtinës, me fillim nga ora 17:00, në Termokiss në Prishtinë, përcjell Fol Drejt.
“Këpucët…” është botuar nga Shtëpia Botuese “Littera”, ndërsa është përmbyllur si projekt në kuadër të programit READ (Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor), përkatësisht në rezidencën për shkrimtar në Stamboll, verën që iku.
Përmbledhja me tregime “Këpucët e Vdekjes”, sheh botimin mbas dy vëllimeve me poezi dhe dy romaneve të Imer Topanicës.
“Ndryshoret e kësaj përmbledhjeje” sipas redaktorit Gazmend Bërlajolli “shkapërcejnë thjesht tematikat e vendngjarjet nga një tregim në tjetrin, për me viju te zhanret, stilet, madje vetë varietetet gjuhësore që vë në punë autori, duke lënë mbresën e krijimeve të nxjerra prej duarsh të ndryshme. E ndërsa lëvizim nga Sarajeva në Prishtinë, nga Podujeva e pasluftës te Konstantinopoja në ditën e madhe të hapjes, e më tej në Galipolin e periudhës së Perandorisë, lexojmë tregime historike, satirë, vinjetë, një përrallë, rrëfimtari me ndërfutje të prozës poetike, madje kapërthurje të vetë prozës me poezinë. E, prej llojshmërisë së ofruar, ajo e ndjesive të përftuara nuk mbetet më pak e larme.”/FolDrejt/