Autoritetet meksikane të hënën njoftuan se gjatë tre ditëve të fundit ishin regjistruar 283 vrasje në vend, duke e bërë fundjavën më të dhunshme deri më tani këtë vit.
Sipas raportit ditor të Ministrisë së Sigurisë dhe Mbrojtjes së Qytetarëve, të premten janë raportuar 93 vrasje, të shtunën 107 dhe të dielën 83, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Me një mesatare ditore prej 93 vrasjesh, fundjava e kaluar ka tejkaluar mesataren ditore për dy vitet e mëparshme, e cila varionte nga 70 deri në 75 vrasje në ditë.
Guanajuato, Jalisco dhe Michoacan janë shtetet federale me numrin më të madh të vrasjeve të raportuara.
Megjithë rritjen e fundit të dhunës së organizuar në vend, përfshirë të shtënat në San Miguel de Totolapan në bregun perëndimor të Meksikës ku mbetën të vdekur 20 persona, duke përfshirë kryetarin e bashkisë, presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador nuk e ka ndryshuar strategjinë e tij të sigurisë.
Obrador ka thënë se strategjia e tij e sigurisë publike më parë ka prodhuar rezultate pozitive, duke lavdëruar shpesh përpjekjet e tij për paqen me sloganin “Përqafime, jo plumba”.
Megjithatë, që kur u bë president në dhjetor 2018, janë raportuar më shumë se 34 mijë vrasje çdo vit, kurse administrata e tij ka njoftuar një ulje të lehtë të shkallës së vrasjeve pasi Obrador mbështet një rol më të madh të ushtrisë në ofrimin e sigurisë publike.
Kongresi i Meksikës miratoi një projekt-ligj në fillim të këtij muaji e cila i lejon ushtrisë meksikane të vazhdojë të patrullojë rrugët, një veprim që ngriti shqetësime për militarizimin e sigurisë publike./FolDrejt/