Tashmë këcënimet nga ana e Serbisë janë bërë të shpeshta.
E kërcënimi i fundit erdhi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq.
Ai ka thënë se Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht në veri, nëse ka ndonjë aksion nga forcat e sigurisë në Kosovë.
Këtë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS).
Ai thotë se nuk duhet befasuar nga asnjë kërcënim nga Serbia derisa bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr masa ndaj saj.
“Nuk duhet befasuar nga asnjë kërcënim nga ana e Serbisë. Kjo vazhdimisht tregon se është e padisiplinuar dhe jo vetëm për Kosovën, por ndaj çdo vendi në rajon ka treguar apetite ekspansive dhe agresive, e do të vazhdojë të jetë kështu gjersa bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr sanksione disiplinuese ndaj saj”, është shprehur ai.
Sipas tij, mundësitë për sulme nga ana e Serbisë janë minimale derisa e di se do të ballafaqohet me NATO-n dhe Amerikën.
“Ndryshe, sikurse më herët, sikurse tani Serbia, e di fare mirë se ndaj çfarëdo përpjekje të saj agresive ndaj Kosovës, do të ballafaqohet me aleancën më të fuqishme në botë NATO-n, me në krye Amerikën, andaj edhe gjasat për një sulm vetanak nga Serbia janë minimale. Mirëpo, aktualisht zhvillimet ndërkombëtare bën të shihen në analogji me zhvillimet në kohën e luftës së ftohtë, pra ndeshje mes Rusisë dhe SHBA-ve, e që vendet e vogla janë vetëm reflektim i qëndrimit të këtyre dy blloqeve apo ndeshje interesash, në këtë drejtim, cenimi i cilitdo vend aleat nga njëra anë, do të marrë kundërpërgjigje nga aleanca që i takon”, vlerëson Armend Halimi për “Bota sot”.