Edicioni i 41-të i manifestimit kulturor “Vera e Shkupit” u hap zyrtarisht sonte në ambientet e “Suli-an” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit me koncertin “Shkupi në tre ngjyra”, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç ishte paralajmëruar më parë nga organizatori i manifestimit “Vera e Shkupit”, Drejtoria e Kulturës dhe Arteve e Shkupit (DKASH), edicioni i 41-të i festivalit “Vera e Shkupit” filloi me një koncert të titulluar “Shkupi në tre ngjyra” me pjesëmarrjen e: Dushko Georgievski, interpretues vokal dhe flautë; Ratko Dautovski, instrumente goditëse; Emil Adamski, kaval dhe bas akustik; Bajsa Arifovska, piano, violinë, klarinetë; dhe Blagoja Alacki, kitarë.
Organizatori tha se programi muzikor “Shkupi në tre ngjyra”, “bashkon popullsinë maqedonase, rome dhe turke të rajonit tonë si një bashkim i bukur i tre kulturave muzikore në një, si dhe do të thyejë stereotipet e ndarjes”.
Ndër të tjera, DKASH informoi se për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), ngjarja verore në Shkup do të organizohet në përputhje me protokollet për organizimin e ngjarjeve publike, të miratuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas programit të edicionit të sivjetmë të manifestimit “Vera e Shkupit”, nesër do të mbahet një koncert jubilar nga Plamenka Trajkovska, kuinteti “Zonja dhe zotërinj”. Të mërkurën është paraparë koncerti i treshes “AD LIBITUM”: Silvana Atanasova Çuleva, piano; Llazar Sokollov, klarinet dhe saksofon; si dhe Emilija Kabranova Filipova, piano.
Të enjten, më 9 korrik, do të ketë një promovim virtuel të librit “…si ti edhe unë…”, një vepër e frymëzuar nga rinia e Nikolla Teslës, me autor Toni Manxhukovski.
Të premten, më 10 korrik, sipas programit është planifikuar monodrama “Ditari i të çmendurit” të autorit Nikolaj Gogol, me regji të Gjorgji Rizeski, ndërsa në mododramë do të paraqitet aktori Boban Aleksoski.
Manifestimi mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qyteti i Shkupit.