Me rastin e 247-vjetorit të themelimit të ushtrisë amerikane, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar edhe njëherë rolin e madh që ka luajtur angazhimi i saj në konsolidimin e shtetit kosovar, duke punuar për çlirimin dhe ruajtjen e paqes e lirisë së tij.
Ai ka shfaqur mirënjohjen për funksionin e saj vendimtar për Kosovën në te kaluarën, si dhe për mbështetjen e mbajtjen e një funksioni aktiv në sigurimin e Kosovës edhe sot.
Më poshtë Fol Drejt ju sjell postimin e plotë të tij:
“Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbron lirinë, demokracinë, paqen dhe sigurinë botërore. Sot në 247-vjetorin e themelimit të saj, kujtojmë sakrificën, trimërinë dhe përkushtimin e burrave dhe grave që shërbyen e shërbejnë në këtë ushtri dhe që janë bërë frymëzim për ushtritë dhe demokracitë në botë.
Në këtë ditë historike, urojmë popullin, Ushtrinë dhe institucionet amerikane, me falënderim dhe mirënjohje të thellë për ndihmën që i dhanë Kosovës dhe popullit të saj në momentet vendimtare historike dhe për mbështetjen që vazhdojnë të ofrojnë për një Kosovë e rajon më stabil e më të sigurt.
Krenar që Ushtria jonë qëndron përkrah tyre në shumë misione të paqes, me shpresën që të bashkëpunojmë edhe më ngushtë në Aleancën Veriatlantike NATO.
Urime ditëlindja!”/FolDrejt/