Sot më 8 mars Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, përkatësisht rektorati i këtij universiteti, ka vlerësuar të gjitha punonjëset gra, për kontributin e tyre akademik, shkruan Fol Drejt.
Rektori, prof. dr. Qerim Qeimi, ka nderuar me mirënjohje profesoreshat e njësive akademike, me motivacionin për kontribut meritor dhe shërbim për universitetin.
Profesoreshat kanë dhënë kontribut qenësor në zhvillimin dhe avancimin e UP-së, nga shërbimi shumëvjeçar në ligjërim, angazhim brenda strukturave të njësive akademike, si dhe me punë shkencore në fushat përkatëse.
“Sot do të ndajmë mirënjohje për ju, për kontributin tuaj meritor dhe për shërbimin për universitetin. Megjithatë, ne kemi zgjedhur këtë datë më tepër për arsye simbolike. Por nuk është që mirënjohjet po i japim për këtë ditë, por për vite e dekada kontribut e shërbim tuajin për këtë institucion, që ne e kemi aq afër zemrës”, u tha Rektori profesoreshave të shpërblyera me mirënjohje./FolDrejt/