Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, ka deklaruar se me Rusinë janë të gatshëm edhe për diplomaci mbi çështjen e Ukrainës, por edhe për sanksione ekonomike në rast të pushtimit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një konferencë të rregullt për media, Sullivan vlerësoi bisedimet e zhvilluara mbi Ukrainën me Rusinë në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë.
Sullivan tha se në takimet në fjalë edhe SHBA-ja edhe Rusia shprehën çështjet e tyre shqetësuese, si dhe shtoi se gjithashtu u shprehën hapur edhe fushat në të cilat mund të arrihet ose që nuk mund të arrihet përparim.
“Bisedimet ishin të sinqerta dhe të drejtpërdrejta. Ishin bisedime të dobishme. Neve dhe Rusisë na dhanë materiale mbi të cilët të mendohemi”, tha Sullivan.
Pasi bëri të ditur se pas bisedimeve do të flasin me aleatët e tyre se si do të vazhdojë procesi, Sullivan tha: “Jemi të gatshëm për diplomaci për zhvillimin e sigurisë dhe stabilitetit euro-atlantik. Në të njëjtën mënyrë jemi të gatshëm të japim kundërpërgjigje nëse Rusia zgjedh një rrugë tjetër. Bashkëpunimi ynë intensiv vazhdon me partnerët tanë për sanksionet e ashpra ekonomike që do zbatohen në rast se Rusia pushton Ukrainën”.
“Rreziku i pushtimit është akoma i lartë”
Sullivan theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
“Rusisë i shprehëm hapur kostot dhe pasojat e ndërhyrjes ushtarake”, shtoi Sullivan.
Më tej, Sullivan njoftoi se për vazhdimin e bisedimeve me Rusinë nuk kanë përcaktuar një datë të re dhe se kontaktet e tyre do të vazhdojnë edhe me aleatët e tyre edhe me Rusinë.
Ai theksoi se inteligjenca e SHBA-së nuk ka arritur ende një gjykim përfundimtar se Rusia do të pushtojë Ukrainën. Ai shtoi se Rusia ka grumbulluar në kufi dhjetëra mijëra ushtarë dhe se rreziku i pushtimit është akoma i “lartë”.