Ai ka zbuluar një biznes me armatime ushtarake, një skandal që ka prekur deri figurat e larta qeveritare serbe. Tani ish punëtori i një firme armatimesh Krusik, që prodhon granata, raketa dhe mina, ndodhet në arrest shtëpiak. I vlerësuar si hero nga publiku, ai ngjan me Assange dhe Edward Snowden – një person që ka goditur qeverinë serbe dhe po mbledh gjithmonë e më shumë përkrahës duke e llogaritur si “heroi ynë”, shkruan SPIEGEL.
Bëhet fjalë për Aleksandar Obradovic (40), i cili ka zbuluar korrupcionin dhe krimin e organizuar, duke disponuar edhe fotografi dhe dokumenta, të shitjesh me çmime të lira të armëve nga firma shtetërore. Si të dyshuar për shitblerje armësh janë edhe ministri i brendshëm Branko Stefanovic dhe djali i tij Nebojsha. Dëmi për buxhetin serb llogaritet deri në dhjetëra milionë euro, kurse armët janë shitur kryesisht në Arabinë Saudite, Liban, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemen, përcjell foldrejt.com. Si ndërmjetësues i shitblerjeve antiligjore ka qenë edhe shefi i shërbimit sekret palestinez, Muhamed Dahlan, i cili jeton në Beograd.
“Në plan të parë nuk ndjehem në rrezik për jetën. Presioni publik është shumë i madh, andaj besoj se ata më mbrojnë tani – sëpaku në këtë kohë,” thotë për SPIEGEL, Obradovic, i cili pas protestave u lirua, por ka marrë kërcënime me jetë nëse publikon akoma të dhëna për allishverishet qeveritare.
40 vjeçari të kujton kohën e Millosheviqit, atëherë kur presidenti Aleksandër Vuciq ishte ministër i informacionit, kur firmat jugosllave shitnin personalisht armë nëpër vende të treta – duke anashkaluar shtetin. Edhe sot e kësaj dite, shumë ushtarakë të lartë të afërt me Vuciq, po shesin armë për xhepin e vet ndaj shteteve të treta.
Duke pasur parasysh gjithë këto të dhëna, avokati i Obradovic, Vladimir Gajic, thekson se është e pakuptueshme sesi Aleksandër Vuciq akoma disponon gjithë përkrahjen Perëndimore.
“Nuk duhet të harrohet se Serbia nuk është shtet ligjor, por një shtet autoritar. Vuciq ka dërrmuar gjithë institucionet e pavarura,” tha Gajlic duke shtuar se ironia e fatit është që Vuciq duhet të na orientojë drejt Europës./Foldrejt.com