Kryeministri Ramush Haradinaj po merret me europianët dhe më shumë me Amerikën. Me këtë ai qeveris vendin drejt izolimit. Zgjedhjet parlamentare mund të jenë një rrugëdalje, që duhet të çojë drejt një marrëveshjeje paqeje me Serbinë, shkruan fillimisht prestigjiozja zvicerane “NZZ”.
Më tej, media zvicerane citon sekretarin gjeneral të OKB, Antonia Guterres, që fajëson Kosovën për bllokimin e dialogut me Serbinë, kjo si pasojë e tarifës ndaj mallrave serbë.
“Toni mes Haradinajt dhe Brukselit po bëhet gjithmonë e më tepër e acaruar. BE kërkon nga Prishtina të tërheq tarifën, kurse Haradinaj thotë se kjo do ndodhë kur Serbia të njohë Kosovën. Spektakulare është konfrontimi i tij me Uashingtonin,” përcjell foldrejt.com.
Që nga konflikti i Kosovës, shqiptarët çdoherë kanë vepruar në koordinim me forcat mbështetëse – kjo vlente kryesisht me “miqtë amerikanë”. Por çfarë ka ndodhur vitet e fundit? Kosova është e bllokuar, ndjehet se e kanë lënë në baltë dhe frikësohet se sahati po kthehet në favor të Serbisë. Kundrejt kësaj Haradinaj po vepron me një Powerplay nacionalist, që te shumë shqiptarë shihet mirë.
Sipas medias zvicerane për stagnimin e Kosovës fajtorë janë edhe vetë kosovarët, ku politika nuk vlen për të arritur suksesin kundër varfërisë, por fajtorë janë edhe “partnerët ndërkombëtarë” të cilët nuk liberalizuan vizat përkundër që Kosova plotësoi të gjitha kriteret.
Në fund media zvicerane na jep edhe një këshillë: “Kosova duhet të çlirohet nga prangat e saj. Fronti kundër fqinjëve bllokon çdo zhvillim – jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi. Askush nuk flet kundër, që Prishtina dhe Beogradi të nënshkruajnë një marrëveshje paqe me presione. Kjo ka të bëjë edhe me përfundimin e mandatit të shefes së politikës së jashtme europiane Frederica Mogherini. Kryeqytetet europiane janë të ndara, sa i takon nëse duhet të ketë ndryshim kufijsh ose jo. Kjo nuk i ndihmon zgjidhjes.
Një rrugëdalje janë zgjedhjet, ku partitë politike kosovare të bëjnë të qartë pozicionet e tyre kundrejt Serbisë. Pas saj, Kosova duhet të zgjedh një udhëheqje të fortë për dialogun me Beogradin – derisa të gjendet një zgjidhje. Këtu duhet të bijnë edhe tabutë – si ajo se ndryshimi i kufijve është djallëzore, në kohën kur ata sillen me pajtueshmëri dhe legjitimohen demokratikisht.”/Foldrejt.com
Vërejtje: Por në fakt, sipas gjitha anketave, shumica e banorëve të Kosovës janë kundër ndarjes ose korrigjimit të kufijve – me çrast nuk mund të flitet për legjitimitet demokratik. Autori i artikullit Andreas Ernst, njihet për artikujt e tij shpesh pro-serbe. Ai mbështet ndarjen e Kosovës si zgjidhje.