Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë kërkojnë të qeverisin sëbashku. Kjo mund të sjellte reformat e shumëkërkuara në Kosovë, por ama jo edhe dialogun me Serbinë, shkruan fillimisht media më e madhe zvicerane Neue Zürcher Zeitung.
Më tutje media zvicerane tregon se asnjë qeveri në Kosovë nuk ka përfunduar mandatin, ngjashëm ndodhi edhe me qeverinë e Ramush Haradinaj që zgjati plot 22 muaj.
Kjo është pak kohë për të zgjidhur problemet që lufton shteti më i ri i Europës, që mes tjerash ka papunësi të lartë, mungesë të shtetit social, sistem joefikas të tarifave si dhe mungesë cilësie në sektorin e arsimit, përcjell foldrejt.com.
“Politikanët tanë çdoherë janë marrë me atë që të duken të dashur për Komunitetin Ndërkombëtar, kështu që kanë harruar popullin e vet,” thotë gazetarja jeta Xharra.
Por nuk mendojnë në këtë formë ambasadorët e vendeve perëndimore në Prishtinë, pasi ata mundohen të bindin Kosovën për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
Më tutje media zvicerane shkruan se Vetëvendosja u bën konkurrencë të fortë dy partive të mëdha PDK dhe LDK. Vetëvendosja dyfishoi votat në 2017, por ndodhi që më pas u përça dhe 12 nga 32 deputetët krijuan një parti të re PSD, që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.
Tash socialdemokratët e PSD-së, edhepse dikur e kanë kritikuar ashpër Haradinajn, tash konkurrojnë sëbashku me atë. Ideologjikisht poashtu nuk kanë diçka të përbashkët, por kjo nuk luan rol të madh – pasi në Kosovë përpara se të jesh i majtë, i djathtë, konservator ose liberal, me rëndësi është si vendos figura udhëheqëse dhe vendodhja lokale.
Fytyra të vjetër dhe një e re
Nga pesë kandidatët për kryeministër, vetëm Vjosa Osmani është kandidatja më e re në skenën politike, kurse publiku prej kohësh ishte njohur me Ramush Haradinaj, Kadri Veselin, Fatmir Limaj dhe Albin Kurtin.
“Osmani e bën garën emosionuese, pasi po thyen një tabu. Ajo kërkon të qeverisë me Albin Kurtin, delen e zezë të politikës kosovare. Sulmet e tij me gazlotsjellës në parlamentin e Kosovës për të kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi dhe kërkesa e tij për referendum për bashkimin me Shqipërinë, e kanë vendosur Kurtin në listën e të padëshiruarve të perëndimoreve,” përcjell foldrejt.com.
Por kjo duket më e zbutur, pasi Kurti kohëve të fundit takohet me socialdemokratët e Gjermanisë dhe ambasadorin amerikan në Kosovë.
Diaspora voton Vetëvendosjen
Në zgjedhjet e 2017, 70 përqind e votuesve të diasporës, shumica nga Zvicra dhe Gjermania, kanë votuar për Vetëvendosjen, kurse 16 përqind për LDK-në. Ata kanë një rol vendimtar në këto zgjedhje ku konkurrenca është shumë e fortë mes Vetëvendosjes, LDK-së dhe PDK-së.
Kjo tregon se pse vetëm Kurti bëri fushatë në Gjenevë dhe Cyrih të Zvicrës dhe se diaspora është e pavarur nga klientela e pushtetit në Prishtinë.
Por çfarë do ndodh nëse do kemi koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes?
Kjo e bën të paqartë të ardhmen e Kosovës, pasi përkundër korrupcionit dhe kritikave të shumta ndaj PDK-së së Hashim Thaçit, këto të fundit thuajse asnjëherë nuk kanë marrë vendim të rëndësishëm pa konsultim me Uashingtonin, Berlinin ose Brukselin.
Është vështirë e përcaktueshme, sesi do gjendet moduli i diskutimeve me Beogradin me Kurtin në krye. Por edhe Osmani duket e pakompromis. Ajo hedh poshtë çdo korrigjim kufijsh me Serbinë. Ajo poashtu kritikon Brukselin, që në negociata e trajton më me preferencë Beogradin./Foldrejt.com