Një sërë mediash austriake vijojnë të shkruajnë për videon flagrante të zv.kancelarit të tyre popullist Heinz Strache, i cili, i ofroi një oligarkeje ruse investime me “para të zeza” në Austri. Por sot mediat e djathta Die Presse dhe Kleine Zeitung, kanë shkruar për një rast të kundërt, që ndodhi disa vita më parë në Shqipëri, informon foldrejt.com.
“Se një video inkriminuese nuk të sjell domosdoshmërisht fundit e karrierës tënde politike, bile edhe ngritje deri në presidencë, tregon shembulli i Ilir Metës në Shqipëri: një kamerë e incizoi Metën për biznese korruptive. Rasti u bë publik nëpër media, por pas një dorëheqje të shkurtër, ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata dhe më pas u shpërblye me postin e presidentit,” shkruajnë një sërë mediash austriake.
Në vitin 2011 në mediat në Shqipëri ishte publikuar përgjimi ndaj Ilir Metës në atë kohë zv.ministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Në videon 12 minutësh dëshmohej pazari prej 700 mijë eurosh mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Kjo shumë ryshfeti merrej në këmbim të koncesioneve dhe licencave për një hidrocentral.
Kjo video solli në fakt edhe protesta masive në Tiranë, ku në 21 janar u vranë edhe katër protestues nga garda e qeverisë.
Në 2013 zgjedhjet i fitoi PS në koalicion me LSI, kurse në zgjedhjet e fundit presidenciale – këto dy forca ia sollën fitoren si president Ilir Metës./Foldrejt.com