Disa media ndërkombëtare duke u bazuar në një agjent sekret, i cili ka qëndruar në Katar përgjatë 2016 dhe 2017, kanë hedhur dyshimet se Katari në bashkëpunim me disa doganierë në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi kanë armatosur organizatën Hezbollah, e cila nga shumë shtete perëndimore njihet si terroriste, informon foldrejt.com.
Sipas mena-watsch.com, ambasadori katarian në Belgjikë, Abdulrahman bin Mohammed Sulaiman al-Khulaifi, i ka ofruar 700 mijë euro agjentit me pseudonimin „Jason Gs.“, vetëm që të heshtë ndaj akuzave. Ai shton se vetëm gjatë 2020, Katari ka financuar Hezbollahun me 200 milion euro.
Ndaj këtyre akuzave nuk është përgjigjur ambasada e Katarit në Berlin.
Sipas dosjes së agjentit Jason, i cili 16 vite ka punuar në shërbimet sekrete, thuhet se armët fillimisht janë transferuar në Maqedoninë e Veriut, ku katarianët kanë arritur suksesshëm të korruptujnë doganierët maqedonas. Më pas armët janë paraqitur si materiale ndërtimi dhe janë dërguar në portin e Selanikut, ku prej aty me anije janë dërguar në Liban.
Firma katariane që ka kryer këtë transfertë armësh, ka pasur një marrëveshje edhe me Serbinë.
Arabia Saudite, Emiratet, Egjipti dhe Bahreini kanë vendosur embargo ndaj Katarit, për shkak të akuzave se mbështet terrorizmin. Katari ka arritur ti bëjë ballë embargos, falë mbështetjes së madhe nga Turqia./Foldrejt.com