Thuajse të gjitha mediat gjermanofonë i kanë kushtuar rëndësi Samitit të Ballkanit në 29 prill në Berlin, ku krahas dy liderëve europianë Angela Merkel dhe Emanuel Macron, pjesëmarrës ishin edhe gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor, si dhe liderët e Sllovenisë e Kroacisë, shkruan foldrejt.com.
“Serbët dhe kosovarët duan të bisedojnë më tej,” është titulli i n-tv.de. “Tema qendrore e samitit ishte arritja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, por që nuk duket të ndodhë së shpejti.”
Televizioni “ZDF” më shumë jehonë i ka dhënë liberalizimit të vizave me kosovarët, që fatkeqësisht vijon të jetë barrierë për banorët e Kosovës. “Liberalizimi i vizave ka qenë pjesë e diskutimit, por nuk është dhënë ndonjë datë konkrete,” përcjell foldrejt.com.
Gazeta vjeneze “ëiener Zeitung” flet për liderët më reformatarë, duke e llogaritur kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, i cili sëbashku me Macron dhe Merkel priti liderët tjerë rajonalë, ndërsa si më problematikët e paraqet qeverinë e Malit të Zi “që ka probleme të brendshme” dhe krizën mes Prishtinës dhe Beogradin.
Gazeta bavareze “Süddeutsche Zeitung” shkruan se Merkel u jep fund bisedimeve për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se një gjë e tillë në vitet 90-ta solli luftërat e shumta në Ballkan. Ngjashëm media tjetër gjermane DPA citon Hashim Thaçin, i cili ka thënë se “kurrë nuk do lejonte shkëmbimin e territoreve” mes veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
“Tagesspiegel” flet për rrezikun e ndikimit kinez, rus dhe turk mbi rajonin fragjil të Ballkanit, për këtë BE kërkon zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Ballkanit, përcjell foldrejt.com. Ky rajon nuk duhet të humbet nga fokusi i Brukselit.
Tagesspiegel në fund tregon edhe “diplomacinë” e Francës, ku si një vend me “afërsi historike me Serbinë” nuk ka dalur qindpërqind kundër korrigjimit të kufijve. Por ka mjaftuar të thotë se “mbështet çdo marrëveshje që arrihet mes Prishtinës dhe Beogradit.”/Foldrejt.com