Ushtria serbe sot ka stacionuar disa Howitzer me rreze të gjatë veprimi në zonën e sigurisë tokësore, afër vendkalimit administrativ Jarinje, shkruan Danas, përcjell Fol Drejt.
Vendosja e artilerisë serbe e pasoi Milan Mojsiloviqin, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, që u nisë urgjentisht për në Rashkë mbrëmë.
“Detyrat që i janë dhënë Forcave të Armatosura të Serbisë dhe mua si shef do të zbatohen plotësisht dhe do të realizohen si të tilla. Situata është e ndërlikuar, komplekse, kërkon praninë e Forcave të Armatosura serbe përgjatë vijës administrative edhe në periudhat në vijim. Forcat e Armatosura të Serbisë, si mburojë e paqes dhe stabilitetit, do të drejtohen drejt përmbushjes së këtyre detyrimeve. Ne i kemi të gjitha informacionet në detaje. Duhet ta dini se masat e marra dhe detyrat e marra do të përmbushen plotësisht”, tha Mojsiloviq për Pink.
Mediat proqeveritare në Beograd kanë raportuar mbrëmë se në Zubin Potok janë dëgjuar të shtëna, ndërsa disa kanë thënë se ka pasur shkëmbim zjarri mes serbëve vendas dhe policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka pasur incidente mes pjesëtarëve të saj dhe asnjë grupi në veri të Kosovës.
Përfaqësuesit e KFOR-it, në përgjigje të hetimit të Kohës Ditore, kanë bërë të ditur se në Zubin Potok ka pasur të shtëna, por se në atë incident nuk ka të lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. /Danas/ /FolDrejt/