Mediat e afërta me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, kanë filluar ta përgatisin opinionin serb për vendimin e madh. Sipas tyre, “Plani Franko-Gjerman”, të cilin e ka pranuar edhe vetë presidenti, nuk mund të mos pranohet, shkruan Fol Drejt.
Në një artikull të publikuar në Pink.Tv, medium i njohur ky për afërsinë me Vuçiqin, disa analistë serbë kanë shprehur qëndrimin se nëse refuzohet plani në fjalë, do të ketë pasoja të rënda për Serbinë.
“Fuqia e ‘Propozimit Franko-Gjerman’ për Kosovën qëndron në faktin se të gjitha vendet e BE-së e kanë pranuar, madje edhe pesë prej atyre që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, prandaj serioziteti i situatës në të cilën ndodhet Serbia reflektohet në kërcënime të qarta, nëse ne nuk e marrim parasysh këtë plan” – shkruan Pink.Tv
Sipas artikullit, Vuçiq nuk e ka fshehur faktin pasojat më të rrezikshme për Serbinë janë ndërprerja e procesit të integrimit evropian, ndalimi dhe më pas tërheqja e investimeve dhe rikthimi i vizave.
Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, sundimi i ligjit dhe reflektimi i një fryme të përbashkët evropiane në politikën e jashtme, ku nënkuptohen edhe sanksionet ndaj Rusisë, janë disa prej kushteve të cilat i janë vënë Serbisë.
Nga pikëpamja e tyre, nuk mund të injorohet plani, përndryshe Serbia do të kthehej në një vend të pasigurt edhe për investitorët e huaj.
Plani Franko-Gjerman, sipas shumë njohësve të zhvillimeve politike në vend dhe rajon, veç që e ka rikthyer një dinamikë të re të bisedimeve, parasheh përmbyllje të shpejt të procesit. Sipas një artikulli në Nova.rs, deri në mars Kosova dhe Serbia pritet të arrijnë marrëveshje për çështjen e asociacionit, ndërsa në qershor do ta kemi një marrëveshje përfundimtare./FolDrejt/