Pas përafërsisht dy javësh, sipas mediave serbe, Ekipi Menaxhues do ta prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, transmeton Fol Drejt.
Ky draft status do të jetë në pajtim me marrëveshjet e arritura së fundmi nëpërmjet bisedimeve të nivelit më të lartë politik të përfaqësuesve nga Kosova dhe Serbia.
Këtë e kanë bërë të ditur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pas takimit në Bruksel më 4 prill.
Për momentin, nuk dihet se kush është pjesë e Ekipit Menaxhues, pra kush e ka hartuar këtë status. Vetë Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se pjesë e ekipit janë edhe katër serbë.
Sipas mediave serbe, në vitin 2018 nga Ekipi Menaxhues është dorëzuar një version i këtij statuti në Bruksel, por ai është mbajtur në fshehtësi, larg vëmendjes së opinionit publik ballkanas./FolDrejt/