Në Bruksel thonë se nga të dyja palët, si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina, ka sinjale të forta se propozimi i BE-së do të pranohet, si në deklarata publike ashtu edhe në biseda të drejtpërdrejta me zyrtarë të BE-së. Prandaj pritet që të hënën të pranohet zyrtarisht propozimi, shkruan mediumi serb N1.
Si do të quhet saktësisht asociacioni, çfarë kompetencash do të ketë – këto janë detajet që do t’i mësojmë saktësisht të hënën.
Siç tha një zyrtar i lartë i BE-së, nuk do të diskutohet për përmbajtjen e propozimit, por vetëm për zbatimin e tij, i cili është përcaktuar në një aneks të veçantë.
Pranimi i propozimit evropian është i rëndësishëm sepse do të çojë në një ndryshim në të gjithë disponimin në rajon, do të çojë në projekte dhe investime të reja, do të rrisë ndihmën financiare dhe do të çojë në siguri dhe parashikueshmëri më të madhe, u tha gazetarëve zyrtari i lartë i BE-së, të cilin mediumi serb N1 nuk e identifikon me emër.
Kujtojmë se të hënën në Bruksel do të mbahet një takim i nivelit më të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.
Takimet dypalëshe do të fillojnë të hënën në orën 15:00, pas së cilës të gjithë do të ulen në tavolinë bashkarisht, raporton N1, transmeton Fol Drejt.