Dmitry Medvedev, Zëvendës Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, bëri thirrje për “eliminimin fizik” të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe rrethit të tij.
Ai komentoi ngjarjet pranë Kremlinit, për të cilat autoritetet ruse pretendojnë se ishte një sulm ndaj presidentit të Rusisë.
“Pas sulmit të sotëm terrorist, nuk ka mbetur gjë tjetër veç eliminimit fizik të Zelenskyt dhe klikës së tij”, tha Medvedev.
Medvedev është i njohur për deklaratat e tij radikale për luftën në Ukrainë dhe situatën politike në përgjithësi.
Më herët në rrjetet sociale u shfaq një video e re e një sulmi me dron në kryeqytetin rus. Sot Kremlini ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se mbrëmë ukrainasit kanë tentuar të sulmojnë me dronë rezidencën e presidentit të Federatës ruse në Kremlin.
“Dy dronë u drejtuan në drejtim të Kremlinit. Si rezultat i veprimeve në kohë të ushtrisë dhe shërbimeve speciale me përdorimin e sistemeve të radarëve luftarakë, dronët u vunë jashtë veprimit. Si rezultat i rënies së tyre dhe fragmenteve të shpërndara në territorin e Kremlinit, nuk ka pasur viktima apo dëme materiale”, thanë ata, transmeton Fol Drejt.