Londra në fakt po bën një luftë të padeklaruar kundër Moskës, që do të thotë se çdo zyrtar britanik mund të shihet si një objektiv legjitim ushtarak, tha sot zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë Dmitry Medvedev.
“Britania e Madhe vepron sot si një aleate e Ukrainës, duke i ofruar asaj pajisje dhe personel si ndihmë ushtarake, që do të thotë se ajo de facto po bën një luftë të padeklaruar kundër Rusisë. Prandaj, çdo zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar, ushtarak dhe civil, që kontribuon për përpjekjet e luftës, mund të shihet si një objektiv legjitim ushtarak”, shkroi Medvedev në Twitter, duke komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm britanik James Cleverley, përcjell Fol Drejt.
Një diplomat britanik justifikoi dje sulmet me dron në Moskë, duke thënë se Ukraina ka të drejtë të sulmojë objektivat në territorin rus për vetëmbrojtje./FolDrejt/