Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar është “armiku i përjetshëm” i Moskës dhe zyrtarët e saj që lehtësojnë luftën në Ukrainë janë objektiva “legjitime” ushtarake, raporton AA, përcjell Fol Drejt.
“Mbretëria e Bashkuar vepron si aleat i Ukrainës duke i ofruar asaj ndihmë ushtarake në formën e pajisjeve dhe specialistëve, d.m.th., de facto po udhëheq një luftë të padeklaruar kundër Rusisë”, tha Medvedev, i cili kryeson Këshillin e Sigurimit Rus, në Twitter.
“Në këtë rast, çdo zyrtar i saj publik (qoftë ushtarak, ose civil, që lehtëson luftën) mund të konsiderohet si një objektiv legjitim ushtarak.”
Komentet e tij erdhën një ditë pasi Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly tha se Ukraina kishte të drejtën të “projektonte forcën përtej kufijve të saj” për vetëmbrojtje.
Medvedev, i cili gjithashtu shërbeu si kryeministër i Rusisë, tha: “Zyrtarët budallenj të MB-së, armikut tonë të përjetshëm, duhet të kujtojnë se brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar të pranuar botërisht që rregullon luftën moderne, duke përfshirë Konventat e Hagës dhe Gjenevës me ato protokollet shtesë, shteti i tyre mund të cilësohet edhe si në luftë”.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë një aleat i vendosur i Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar. Ajo po ofron ndihmë ushtarake ekonomike, humanitare dhe mbrojtëse për Kievin, dhe gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. /FolDrejt/