Armend Mehaj bëri sërish thirrje për mbështetje të Fondit të Sigurisë së Kosovës.
Për këtë ai shkroi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, transmeton Fol Drejt.
Ky është shkrimi i tij i plotë:
“Të dashur bashkëkombës dhe qytetarë të vendit kudo që jeni,
Ju shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për kontributin tuaj të deritashëm me donacionet e dhuruara me djersën dhe mundin tuaj në Fondin e Sigurisë së vendit.
Asgjë nuk na ka befasuar sepse ju ishit dhe jeni lokomotiva kryesore e ndërtimit, zhvillimit dhe forcimit të vendit e institucioneve tona.
Fondi i Sigurisë ishte insistimi dhe vullneti juaj, sepse dashurinë për shtetin dhe institucionet e saj, ju e keni dëshmuar në secilën periudhë të kauzës së rezistencës, luftës dhe shtet-ndërtimit.
Periudha në të cilën po kalojmë konfirmon nevojën për të ngritur dhe zhvilluar Ushtrinë e fortë dhe të gjitha institucionet tjera të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.
E për tu realizuar ky synim, buxheti aktual është i pamjaftueshëm, prandaj donacionet tuaja në ‘’Fondi i Sigurisë’’ janë shumë të çmueshme dhe të pazëvendësueshme.
Vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin jetik – Ushtrinë tonë të fuqishme, moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së.
Edhe njëherë,
në emër të gjithë zyrtarëve dhe ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ju falënderojmë nga zemra!
Ju rikujtojmë se,
Fondi i Sigurisë menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.
Fondi është hapur në Bankën Qëndrore të Republikës së Kosovës.
Emërtimi i llogarisë/Account name: Fondi i Sigurisë
Nr. i llogarisë/Acc. number: 1000400070008619
IBAN: XK051000400070008619
SWIFT-BIC CBRKXKPRXXX
Mobilizimi dhe vullneti juaj i jashtëzakonshëm – motivi dhe forca jonë e natyrshme.”/FolDrejt/