Sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vetëdijesimit ndaj Minave dhe Aksionit ndaj Tyre, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka marrë pjesë në aktivitetin e përbashkët të organizuar nga Qendra Koordinuese për Deminim, organizata norvegjeze NPA (Norwegian People’s Aid), HALO Trust, Policinë e Kosovës dhe KFOR-I, transmeton Fol Drejt.
Në këtë aktivitet drejtori i Qendrës Koordinues të Deminimit zoti Ahmet Sallova ka prezantuar progresin e arritur prej vitit 1999, duke theksuar se deri më tash janë pastruar mbi 62 milion metra katror dhe janë gjetur 95,0000 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera.
Me këtë rast Ministri i Mbrojtjes zoti Armend Mehaj para të papranishmëve ka vlerësuar se: “Këto rezultate na bëjnë krenar për punën e shkëlqyer që është kryer nga FSK dhe organizatat tjera deminuese, falë punës se tyre janë shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe njëkohësisht është kthyer një numër i madh i tokave për shfrytëzim nga komunitetet, megjithatë ende nuk konsiderohemi një zonë e lirë nga minat, andaj kërkohet përkushtim”. Duke folur për rëndësinë deminimit në raport me jetën a njeriut ai ka theksuar se: ”Çdo minë e pastruar do të thotë një jetë e shpëtuar. Çdo minë e pastruar na sjell një hap më afër në ndërtimin e kushteve për paqe afatgjate dhe produktive”.
Në përmbyllje të fjalës së vet Ministri Mehaj ka shprehur gatishmërinë që ka Kosova për të dhënë kontributin për Ukrainën në fushën e deminimit dhe kërkim- shpëtimit me kapacitet që ka FSK-ja. “Megjithatë siç e përmenda në fillim problemi i mjeteve të pashpërthyera nuk është vetëm i Kosovës por i çdo zone pas konfliktit. Është problem njerëzor. Dhe këtu nuk mund të mos përmend Ukrainën dhe popullin ukrainas që në baza ditore përballet me minat e vendosura nga agresori rus. Ky shtet ka nevojë për ndihmën tonë dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë përkrahjen e nevojshme përmes ekipeve tona të specializuara të trajnerëve të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit”.
Njësitë e deminimit të FSK-së dhe organizatave tjera të angazhuara në pastrimin e zonave te rrezikshme siç është NPA dhe HALO Trust, janë duke rivendosur dhe krijuar një mjedis të sigurt në fushat e tanishme të rrezikuara, duke mundësuar zhvillimin e jetës normale./FolDrejt/