Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në shënim të Ditës së Çlirimit ka thënë se çlirimi i Kosovës është rezultat dhe meritë e veprimtarëve të çështjes kombëtare, UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s.
“Sot për nder të ditës së çlirimit së bashku me Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca dhe Ministren Hajdari, fillimisht bëmë nderim të varri i ish-presidentit Rugova, pastaj tek varri i veprimtarit të të çështjes kombëtare Adem Demaçi, për të vazhduar në memorialin e varrezave të Jasharëve në Prekaz dhe përmbyllëm me homazhe në sheshin “Nënë Tereza” tek pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, në Prishtinë.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se çlirimi i Kosovës është rezultat dhe meritë e veprimtarëve të çështjes kombëtare, UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falënderues ndaj të cilëve do të jemi gjithmonë.
“Në këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, historia jonë është shkruar me gjakun tuaj.”shtoi Mehaj. /FolDrejt/