Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke vazhduar me punën e tyre në ndihmë të qytetarëve të Pejës të cilët janë prekur nga vërshimet, raporton Fol Drejt.
“Ekipet tona të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke vazhduar me punën e tyre në ndihmë të qytetarëve të Pejës të cilët janë prekur nga vërshimet. Që nga mbrëmë ekipet tona të Gardës Kombëtare, Operacionet Speciale, Forcave Tokësore janë duke realizuar operaconin në ndihmë të qytetarëve tanë në Pejë.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Ai tha se ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në Rexhimentin e Qëndrueshmërisë së Komandës së Logjistikës, dhe Rexhimentin e Xhenios së GK.
“Jemi të gatshëm për të ofruar ndihmë me mjek, psikolog dhe forma tjera sipas kërkesës nga komuna e Pejës.
Sot kemi komunikuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Niko Peleshi i cili ka ofruar gatishmërinë e ushtrisë së Shqipërisë për na dalë në ndihmë nëse kemi nevojë. Falënderoj Ministrin Peleshi për gatishmërinë.”, u shpreh tutje Mehaj. /FolDrejt/